PEDAGOGJIA

Blogu i parë i pedagogjisë në gjuhën shqipe

  • Vizitorë

    • 235,145

Menaxhimi i buxhetit nga shkollat në Kosovë

Menaxhimi i buxhetit nga shkollat në Kosovë

Nga Fidan Shaqiri

Në arsimin e Kosovë vërehet një ndryshim pozitiv në drejtime të ndryshme, por prapë se prapë është në një gjendje jo të mirë. Duke e pasur parasysh periudhën e vështirë që ka kaluar me dekada sistemi ynë arsimor, nuk mund të presim ndryshime dhe përmirësime të dukshme që do të na kënaqshin, por me kalimin e 11 viteve pas luftës së fundit në Kosovë, ka pasur mundësi që arsimi të menaxhohem më mirë dhe të ketë rezultate më pozitive, së paku në disa fusha të caktuara.

Edhe përkundër numrit të madh të punëtorëve (rreth 23 mijë mësimdhënës) që e përbëjnë Sistemin Arsimor dhe rëndësisë që ka për një popull, qeveritë e ndryshme që kanë udhëhequr Kosovën pas luftës, nuk e kanë pasur prioritet arsimin, duke vazhduar avazin e vjetër duke lënë në mëshirë të kohës minierën më të çmueshme të vendit. Me ardhjen e Ministrit të ri të arsimit Enver Hoxhaj, është pritur të ketë ndryshime pozitive, në ç’rast kanë ndodhur në disa fusha, por ende mbetet të punohet shumë dhe të merret më me seriozitet puna nga të gjithë akterët që e përbëjnë Sistemin Arsimor në Kosovë.

Njëra prej fushave që është punuar drejt ndryshimeve, është menaxhimi i buxhetit që i takon shkollave nga vet udhëheqja shkollore, duke shkuar drejt decentralizimit të arsimit në Kosovë. Siç e dimë, shkollat e 3 Komunave të Kosovës kanë qenë pilot projekt në këtë drejtim, ndërsa tani ka një zbatim më të gjerë në tërë Kosovën.

Me këtë hap është synuar që shkollat të menaxhojnë në mënyrë të pavarur me buxhetin që i caktohet nga MASHT-i, apo nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, por në realitet është duke ndodhur krejt diçka tjetër, e cila vështirë është të quhet vetmenaxhim nga shkollat sa i përket buxhetit të tyre, pasi që Drejtoritë e këtyre shkollave nuk mund të vendosin në mënyrë të pavarur thuajse asgjë në shfrytëzimin e mjeteve financiare që u caktohen, por prapë se prapë menaxhohen nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Nga kjo del se shkollat nuk janë duke menaxhuar me financa, por vetëm se është një hap për të bindin opinionin e gjerë se vërtet shkollat janë duke bërë një gjë të tillë.

Kemi shumë raste që tregojnë hapur se nuk është realiteti ashtu siç është proklamuar dhe po proklamohet se shkollat janë vet menaxhuese të buxhetit të tyre, por ne do të marrim një rast të caktuar që tregon absurditetin e gjithë kësaj loje. Në njërën prej shkollave të Komunës së Gjilanit, që “menaxhojnë” buxhetin e tyre, gjatë organizimit të një manifestimi në shkollë, kishte blerë gjëra të ndryshme ushqimore (për të organizuar një koktej rasti) dhe kishte marrur faturën nga shitësi i mallit, të cilën duhej dërguar në Drejtorinë Komunale të Arsimit për të mbuluar shpenzimet e bëra dhe në mesin e artikujve tjerë ishin edhe dy ose tri shishe me ujë të gazuar, që kushtojmë jo më shumë se 1 euro, por në momentin që është vërejtur ky artikull nga zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit, nuk është pranuar fatura me arsyetim se ky lloj artikulli duhet të merret vetëm nga firma që ka fituar tenderin nga Drejtoria e Arsimit për shpërndarjen e ujit mineral. Pra, ky rast tregon shumë hapur burokracinë e institucioneve tona arsimore, duke dëmtuar shumë hapur në përgjithësi shtetin dhe në veçanti shkollat, duke i detyruar të ndjekin tenderët që në të vërtet i zgjedhin të tjerët (Drejtoria e arsimit). Nëse ndokush mundet të thotë se ky është menaxhim i buxhetit nga vet shkollat, që as për 1 euro të mos mundet të vendos shkolla se ku t’i harxhoj, atëherë ne jemi duke jetuar në një botë tjetër.

Shkollat për momentin nuk janë menaxhues të buxhetit, por vetëm vegël e institucioneve më të larta arsimore në Kosovë, që duhet të punojnë vetëm sipas udhëzimeve të tyre, duhet të jenë të kufizuar në blerjen edhe të gjërave më të imta që i nevojiten një shkolle, duhet të shpallin tenderë në raste të caktuara për shuma shumë të ulëta, e dihet mirë se sa mund të jetë fituese me rastin e tenderimeve.

Institucionet tona më të larta arsimore nuk duhet që të shpenzojnë as kohë e as mjete financiare për të trajnuar Drejtorët dhe përgjegjësit financiar të shkollave, pasi që prapë se prapë ata nuk mund të jenë të lirë të menaxhojnë në mënyrë të pavarur buxhetin që ua caktojnë vet institucionet që i trajnojnë.

Çdo shtet në botë i zhvilluar ka të decentralizuar sistemin arsimor dhe çdo kohë mundohet të perfeksionoj sa më shumë shkollat, kurse tek ne jo vetëm që nuk u jepen kompetenca, por edhe ato pak që i kanë ua cenojnë dhe ua minimizojnë deri në atë masë sa që nuk mund të quhen struktura udhëheqëse të shkollave, por vetëm vegla që përdoren në raste të caktuara e për qëllime të ndryshme.

Shpresojmë se së shpejti do të shohim shkolla të decentralizuara jo vetëm për menaxhimin e buxhetit të tyre, por edhe në fushat tjera, si në përzgjedhjen e personelit arsimor, në zgjedhjen e drejtorit të shkollës, marrjen e vendimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me mësimdhënësit, nxënësit dhe stafin tjetër të shkollës, etj.

Një Përgjigje to “Menaxhimi i buxhetit nga shkollat në Kosovë”

  1. nehat said

    me pelqen kjo web faqe

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

 
Këtë e pëlqejnë %d blogues: