PEDAGOGJIA

Blogu i parë i pedagogjisë në gjuhën shqipe

  • Vizitorë

    • 235,145

Koha e lirë dhe organizimi i saj

nga Semir Aliu

Në rrethanat aktuale të globalizimit, potenciali i madh tekniko-shkencor karakterizohet nga akceleracioni i zbulimeve të reja shkencore e tekniko-teknologjike, kështuqë na kushtëzon që në kuadër të veprimtarisë sonë të përditëshme ta zipojmë faktorin kohë dhe ta trajtojmë atë si problem social me rëndësi të dorës së parë.

Në kuadër të kësaj teme që do të diskutojmë, si nocione më të rëndësishme do të jenë: kohë e lirë dhe kohë e punës .

Me qëllim që fenomeni kohë e lirë dhe kohë e punës të trajtohen në mënyrë të shumanëshme është me rëndësi të dimë përkufizimin e tyre.

Pra, koha e lirë është ajo pjesë e kohës që disponon individi jashtë kohës së obligimeve të tij profesionale, shoqërore dhe familjare, me qëllim të pushimit, argëtimit dhe zhvillimit të personalitetit, në rrethanat konkrete natyrore e shoqërore, në të cilat jeton ai.

Kjo nënkupton se koha e lirë është koha që ka në dispozicion njeriu për veprimtari të lirë, për të pushuar, për t’u argëtuar dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të gjithanshme.

Mirëpo, koha e punës ka kuptim dhe dimension tjetër. Ajo në fakt përbën kohën e kaluar në punë të detyrueshme, që d.t.th. se koha e punës është koha të cilën individi e kalon duke punuar për të krijuar të mira materiale për jetë dhe ekzistencë.

Raporti kohë e lirë-kohë e punës

Me qenë se e përkufizuam kohën e lirë dhe kohën e punës, tash do të shohim se në çfarë raporti qëndrojnë ato ndërmjet tyre. Këto dy komponenta deri diku e plotësojnë njëra tjetrën. Koha e lirë e planifikuar dhe e organizuar ka për qëllim dhe detyrë t’i mundësojë individit t’i realizojë interesat, prirjet sipas disa kërkesave të përgjithsme. Kështu p.sh. për njerëzit punonjës, shfrytëzimi i kohës së lirë ndikon pozitivisht në ruajtjen e kondicionit për punë, në kompletimin dhe përsosjen e aftësive profesionale, në plotësimin e nevojave kulturore dhe jetësore, etj. Pra, ajo ndikon në zhvillimin harmonik dhe të plotë të njeriut. Nëse puna dhe karakteri i saj normativ e i detyrueshëm në përmbajtjen reale të jetës shkakton një kufizim të lirisë individuale, atëherë koha e lirë është një faktor me një reflektim shoqëror të gjërë, sidomos çlirues nga monotonia, streset, frustrimet e ndryshme, etj.

Karakteri i kohës së lirë, pavarësisht nga format konkrete në të cilat realizohet, është individual (selektiv) dhe si i tillë ky karakter është i shprehur te të gjithë njerëzit për disa arsye, siç janë plotësimi i disa kërkesave të veçanta fizike, psikologjike e profesionale.

Bazuar mbi këtë që postuam më lartë, mund të themi se koha e punës dhe koha e lirë në jetën e individit paraqesin në një aspekt, një faktor të rëndësishëm për zgjerimin dhe ngushtimin e bazës së veprimit. Koha e lirë për dallim nga koha që individi kalon në punë (ku ka disiplinë, rregull, orar, përgjegjësi, etj.) është faktor i zgjerimit të mundësive kreative, nxit individët e motivuar (liri veprimi, raporte sociale, shoqërim, lëvizje të lirë, etj.), rrjedhimisht, koha e lirë synon kënaqësinë në veprimtari të lirë, ndërsa koha e punës synon pikërisht detyrimin për të krijuar të mira ekzistenciale.

Aktivitetet e kohës së lirë dhe klasifikimi i tyre

Shtrohet pyetja, se, cilat janë aktivitetet e lira dhe si klasifikohen ato? Njeriu si qenie aktive e ka në dispozicion edhe kohën e lirë edhe kohën e punës, mirëpo siç e dimë ato dallojnë për nga përmbajtja e tyre. Aktivitetet e kohës së lirë janë ato aktivitete apo veprime të cilat individi i zgjedh dhe i jetëson gjatë kohës. Ato përbëjnë përmbajtjen e kohës së lirë dhe janë të shumta, si për nga numri ashtu edhe për nga llojllojshmëria e tyre.

Varësisht nga kriteri që merret për bazë,

1. Ekziston klasifikim sipas vendit ku jetësohen aktivitetet e lira: në familje, në shkollë, në ente dhe organziata të ndryshme, vende publike (qendra sportive, kulturore, parqe, mjedise argëtimi, etj).

2. Kriter tjetër mund të jetë mosha dhe gjinia. Ekzistojnë aktivitete të kohës së lirë për fëmijë, për rini, për të rritur, për meshkuj dhe për femra.

3. Sipas strukturës numerike apo pjesëmarrjes. Mund të jenë aktivitete të lira individuale, grupore, kolektive (masive).

4. Sipas llojit apo përmbajtjes të aktiviteteve që realizohen. Sportive, artistike, teknike-prodhuese, kulturore-arsimore, etj.

Megjithatë, klasifikimi më i pranueshëm i aktiviteteve zakonisht konsiderohet ai që ka për bazë funksionin (qëllimin) që kanë aktivitetet e caktuara. Mbi këtë bazë ekzistojnë tri funksione të tilla të kohës së lirë: pushimi, rekreacioni (argëtimi) dhe zhvillimi i personalitetit.

Së pari, aktivitetet që i shërbejnë pushimit të zakonshëm. Këto aktivitete nuk kanë ndonjë angazhim të veçantë fizik ose psikik, qoftë kur realizohen në shtëpi, në vende publike ose në natyrë. Kjo kategori aktivitetesh më shumë është e pranishme te të rriturit se sa te fëmijët dhe të rinjtë. Janë kryesisht me karakter individual dhe relaksues.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë aktivitetet e rekreacionit (argëtimit). Siç janë lojrat e ndryshme shoqërore, vallëzimi, pjesëmarrja në manifestime sportive, në aktivitete dhe institucione artistike, ekskursionet, leximi i literaturës argëtuese, etj. mund të realizohen individualisht, në grupe, në vende e kohë të ndryshme, pa qëllim që të arrihet ndonjë rezultat i caktuar.

Në grupin e tretë bëjnë pjesë ato aktivitete që i janë dedikuar më së shumëti personalitetit të njeriut përmes fushave të ndryshme të veprimtarisë. Këto aktivitete të kohës së lirë janë: fizike, arsimore, kulturore, artistike, informative, teknike, shoqërore, shkencore-popullarizuese, etj. Në aktivitetet fizike bëjnë pjesë marrja në mënyrë sistematike me sporte të caktuara, me lojëra sportive, me trajnime sportive, etj. Aktivitetet artistike ngërthejnë: pikturimi, fotografimi, modelimi, marrja me muzikë, pjesëmarrja në shfaqe e programe artistike, etj. në aktivitetet informative, shkencore-popullarizuese e arsimore bëjnë pjesë: leximi i shtypit, dëgjimi dhe shikimi i programeve përkatëse radiotelevizive, numizmatika, filatelia, pjesëmarrja në ligjërata e forma të tjera, në kurse, në seminare të arsimit të përgjithshëm ose nga fusha të veçanta, si dhe shkollimi privat (plotësues).

Parimet e aktiviteteve të kohës së lirë

Duke u nisur nga tiparet dhe detyrat themelore të aktiviteteve të kohës së lirë, organizimi dhe realizimi i tyre duhet të jetë në harmoni me disa kërkesa, (parime) që janë udhërrëfyes të aktiviteteve të kohës së lirë.

Si parime themelore të aktiviteteve të kohës së lirë janë:

Parimi i lirisë dhe i vullnetshmërisë është parim themelor që përcakton karakterin e aktiviteteve të kohës së lirë. Sipas tij, vetë individi, pa kurrfarë detyrimi nga jashtë vendosë në mënyrë të pavarur se si do ta kalojë kohën e lirë dhe me çfarë aktivitetesh do të merret.

Parimi i shumëllojshmërisë së përmbajtjeve, kërkon që aktivitetet të jenë të ndryshme, si për nga detyrat ashtu edhe për nga llojet e tyre, gjegjësisht si ato që kanë të bëjnë me pushimin aktiv e argëtim të mirëfilltë të individit, ashtu edhe me qëllim të ngritjes së personalitetit të tij.

Parimi i vetaktivitetit, ka të bëjë me nevojën për veprimtari sa më të pavarur, të cilat e nxisin individin për të shprehur aftësitë e tij, duke u përpjekur që aktiviteteve të përzgjedhura t’iu japë “vulën” e tij.

Parimi i organizimit, ka të bëjë me kërkesën që koha e lirë e shfrytëzuar në mënyrë individuale apo kolektive, në institucione, organizata, etj. të bëhet në mënyrë të organizuar-të ketë një shkallë organizimi, d.m.th. të sigurohen kushte të favorshme hapësinore, kohore e përmbajtësore.

Parimi i individualitetit dhe i kolektivitetit, del nga vetë natyra e kohës së lirë, sipas së cilës gjatë kohës së lirë njeriu mund të merret me aktivitete individuale dhe kolektive.

Parimi i përshtatshmërisë ndaj moshës dhe gjinisë, sipas këtij parimi, nuk është pedagogjike që individi të stërngarkohet me detyra që nuk janë në përputhje me zhvillimin psiko-fizik, e as me pjekurinë morale e shoqërore. Poashtu, duhet respektuar edhe dallimet dhe specifikat që dalin nga dallimet gjinore, gjithnjë në të mirë të lirisë dhe tipareve të individit.

Faktorët e realizimit të kohës së lirë

Në realizimin e kohës së lirë nga ana e çdo individi, ndikojnë shumë faktorë, praktikisht të gjithë faktorët me të cilët bashkëjeton ai.

Një nga faktorët parësor dhe me shumë ndikim është familja, ajo duhet të formojë shprehi dhe kulturë tek individi që shfrytëzimin e kohës së lirë ta planifikojë për aktivitete të dobishme.

Faktor tjetër shumë i rëndësishëm, që përcakton shfrytëzimin e kohës së lirë, është edhe shkolla. Shkolla është institucion shumë i rëndësishëm edhe për shfrytëzimin e kohës së lirë në mënyrë të organizuar, të ndërlidhur me aktivitete jashtëmësimore, siç janë: ekskursionet, shëtitjet gjatë ditëve të pushimit, festat shkollore, vizitat e ndryshme, etj.

Mediat si faktor. Përmes spontanitetit, fleksibilitetit dhe fuqisë së ndikimit, media aktualisht zënë një hapsirë të madhe të kohës së lirë.

Edhe format e ndryshme të organizimit të të rinjëve, që kanë të bëjnë me tërësinë e aktiviteteve të tyre, të orientuara nga qëllime apo objektiva të caktuara kulturore, argëtuese, etj.

Njeriu jeton në një mjedis të caktuar shoqëror (komunitet), i cili shquhet për fuqinë e tij ndikuese, sidomos gjatë kohës së lirë, sepse individi në masë të konsiderueshme, është edhe produkt i mjedisit social brenda të cilit jeton, rritet dhe formohet.

Ku ta realizojmë kohën e lirë?

Kjo pyetje shtron çështjen e institucionit, i cili e organizon, realizon dhe planifikin kohën e lirë. Megjithatë, nga aspekti i institucioneve këtu mund të përmendim këto: shkollat, qendrat e kulturës, monumentet e kulturës, galeritë artistike, teatrot, kinematë, bibliotekat, shtëpitë për kulturë teknike, qendrat për krijimtari, panaire, ekskursione etj.

Institucionet profesionale, të cilat drejtpërdrejti apo tërthorazi e organizojnë kohën e lirë atë e planifikojnë përmes programeve të veçanta veprimi. Ato e afirmojnë me përkushtim profesional e pedagogjik ndikimin e tyre duke kontribuar edhe në përmirësimin e politikës sociale.

Dhe në fund mund të përfundojmë se koha e lirë aktualisht ka funksion të trefishtë:

Koha e lirë është bazë e lirisë dhe emancipimit të njeriut nga kufizimet që ia imponon puna

– Ajo kontribuon në zhvillimin e plotë dhe në aktualizimin e vazhdueshëm të njeriut dhe

– Ajo ofron mundësi për zhvillimin e aftësive kreative dhe prodhuese të njeriut.

LITERATURA

Koliqi, Dr. Hajrullah. Andragogjia, ETMM i KSA, Prishtinë

Koliqi, Dr. Hajrullah. Ligjeratë e autorizuar, USHT, Tetovë, 2006

Murati, Xheladin. Pedagogjia e kohës së lirë, Shkup, 2005

18 Përgjigje to “Koha e lirë dhe organizimi i saj”

  1. Kristina said

    E perkryer…ju lumte

  2. anonim said

    ju flm per informacionin qe me keni dhene
    jeni te papare :-(:-)🙂

  3. alketa said

    jeni te shkelqyer,ju lumte flm🙂🙂

  4. edonis said

    shum mir

  5. lona said

    filozofi e bukur

  6. ana said

    I bukur jo i kendshem

  7. megi said

    shum flm se detyrat i mbarova

  8. I paemër said

    informacion teper i mire faleminderit

  9. I paemër said

    shum shkrime te mira vetem vazhdoni

  10. joola said

    terminologji e shkelqyer.😀

  11. leonita said

    shkrime te menqura vazhdoni

  12. Besir said

    Shum jeni te pa pare te nderuar Suksese

  13. Diana said

    shum shumm shkrime te mira

  14. raimonda said

    flm per informacionin qe keni shkruar

  15. I paemër said

    mjaftushem sa per detyrat e shtepise

  16. fitore said

    shume shume me keni ndihmu lidhur me kohen e lire ju faleminderit shume

  17. I paemër said

    Mjaftueshummm te gjitha shkrimet ishinn flmm

  18. ledi said

    me shume
    ledi meta

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

 
Këtë e pëlqejnë %d blogues: