PEDAGOGJIA

Blogu i parë i pedagogjisë në gjuhën shqipe

  • Vizitorë

    • 149,685

Historiku i sistemit klasë-orë-lëndor i organizimit të mësimit

nga Semir Aliu

Organizimi i punës mësimore gjithnjë ka qenë një nga problemet më me rëndësi në teorinë dhe në praktikën didaktike. Prandaj, ky problem është aktual edhe në studimet e kohës moderne. Si rezultat i zhvillimit permanent të shkencës, veçanërisht teorisë së mësimit dhe të mësimdhënies, mënyrat e vjetra të organizimit nuk mund të përcillen me tërësinë e tyre në shkollën moderne, por duhet të reformohen, në mënyrë që tu përgjigjen kërkesave të kohës.

Sistemi i parë që dha fryt në drejtim të organizimit të punës mësimore, që njihet në historinë didaktike, ka qenë sistemi klasë-orë-lëndor, i cili vazhdimisht ka dominuar gjithnjë deri në fund të shek XIX.

Në shkollat tona, në përgjithësi aplikohet sistemi klasë-orë-lëndor i organizimit të mësimit, i cili ka pësuar ndryshime dhe është duke u zbatuar e përsosur mbi 300 vjet. Sistemi klasë-orë-lëndor i mësimit, kryesisht është duke u aplikuar në praktikën e tashme të punës mësimore, në krahasim me të kaluarën, ka pësuar mjaft ndryshime në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm dhe të formave dhe të përmbajtjeve të veçanta ergo-didaktike. Përveç këtij sistemi të organizimit të mësimit, në literaturën didaktike njihen edhe sisteme tjera të organizimit të mësimit siç janë: sistemi i edukimit të M. Montesorit, sistemi i mësimit sipas Dekrolit, Plani Dalton, Plani i Jenës, mësimi sipas metodës së projektit, etj.

Një ndër sistemet që ka një histori më të gjatë të përdorimit, i cili ka vlerë pozitive e përdorim të gjërë dhe aplikohet edhe në ditët e sotme, siç kemi thënë më sipër, është sistemi klasë-orë ose sistemi klasë–orë–lëndor i organizimit të mësimit i cili ka filluar të zbatohet në mënyrë të organizuar që nga shekulli XVI-XVII.

Kjo meritë i takon humanistit, dietarit, pedagogut e njëkohësisht themeluesit të didaktikës, Jan Amos Komenskit, i cili është i njohur me veprën e tij “Didaktika e madhe” për të cilën vetë Komenski, siç thotç thotë pedagogu J. B. Piobetta, pretendon se nuk ka dalë e armatosur me të gjitha mjetet si Minerva nga truri i Jupiterit, vepër në të cilën e projektoi dhe e përpunoi me përpikmëri sistemin klasë-orë-lëndor, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik. Prandaj, mund ta quajm reformator i organizimit të procesit mësimor, ideator dhe frymëzues i sistemit klasë-orë ose klasë-orë-lëndor.

Komenski, i sistematizoi parimet didaktike dhe i pari e ndërtoi sistemin sipas të cilit organizohet mësimi i njohur si sitemi klasë-orë mësimore-lëndë mësimore. Komenski me pikëpamjet e tij, me formulimin e kritereve për organizim të sistemit mësimor, të shkollës, pati një ndikim të madh në zhvillimin e pedagogjisë të shkollës e të arsimit në Europë dhe më gjërë.

Me punën e tij, Komenski, pati ndikim të madh te brezat e rinj në aftësimin e tyre. Pra, Komenski na krijoi një sistem të kompletuar të organizimit të mësimit, një udhërrëfyes për arritjen e efikasitetit dhe suksesit në punën mësimore.

Sistemi quhet klasor për shkak se të gjithë nxënësit janë të grupuar sipas moshës dhe shkallës së diturive, kurse orë për shkak se materiali programor për çdo lëndë është i ndarë në njësi përmbajtësore. Në këtë sistem ora si formë e organizimit të mësimit me të drejtë e zë vendin qëndror. Ajo funksionon si njësi e procesit mësimor, duke akumuluar në vete detyra, përmbajtje dhe metoda mësimore.

Sistemi klasë-orë-lëndor edhe pse me një zbatueshmëri më se tre shekuj dhe me të gjitha veçoritë që atij i japin karakterin e një sistemi tradicional, ai me pjesët e plotësuara e të përpunuara është përsosur dhe sot e kësaj dite është prezent në shollat tona.

Sistemi klasë-orë, sikurse ka ndodhur më vonë edhe me shumë sisteme të tjera të organizimit të punës mësimore, nuk është kursyer nga kritikat e shumta, sidomos nga aspekti i dominimit të formës frontale dhe të lënies pasdore të nxënësve të dobët dhe të atyre me aftësi të veçantë. Përkundrazi, duke aplikuar forma dhe modalitete të saj dhe inovacione didaktike, tejkalohen shumë dobësi të këtij sistemi.

Prandaj tendencat për inovimin e këtij kanë qenë inspiruar nga shumë faktorë dhe në këtë drejtim si argument në favor të ndryshimit e të plotësimit të tij, të bashkëkohësimit qenësor kanë qenë dhe janë kufizimet e tij që çojnë në përfundim të mbivlerësohet aspekti formal dhe të harrohet karakteri shumëdimensional i mësimt, i cili në shumë raste kërkon fleksibilitet, liri më të madhe të arsimtarit në organizimin e tij.

Përsosja, plotësimi, bashkëkohësimi dhe transformimi i tij është i domosdoshëm të vazhdojë edhe më tutje në drejtim të: ora mësimore të jetë jo gjithnjë e përqëndruar në 45 minuta, por e ndryshueshme, të jetë më fleksibile, e lëvizshme, arsimtari të ketë liri për manipulim gjatë zhvillimit të mësimit. Lëndët mësimore të ristrukturohen, të organizohen në formë ciklesh, kursesh apo formave të tjera në përshtatje me teknologjinë mësimore. Klasa të mos jetë e vetmja njësi e organizimit të nxënësve në shkollë.

Pra, mund të konkludojmë se sistemi klasë-orë ose klasë-orë-lëndor është sistem prezent me komplet strukturën e tij, i përshtatur sipas kushteve dhe kërkesave të cilat aplikohen në veprimtarinë edukativo-arsimore moderne.

LITERATURA

Đorđević, Dr. Jovan – Potkonjak, Dr. Nikola, PEDAGOGIJA, Beograd,1990

Murati, Prof. Dr. Xheladin, DIDAKTIKA, Tetovë, 2002

Murati, Prof. Dr. Xheladin, PEDAGOGJIA E PËRGJITHSHME, Shkup, 1998

Zylfiu, Dr. sci. Nijazi, DIDAKTIKA, Prishtinë, 2005

3 Përgjigje te “Historiku i sistemit klasë-orë-lëndor i organizimit të mësimit”

  1. Adea tha

    Pergezime per keto te dhena, vetem nese ka mundesi dicka lidhur me Format Mesimore ju lutem .

  2. zijavere devishi tha

    ju lutem te jepni me shum informata rreth pedagogjise se kohes se lire dhe lendes se didaktikes

  3. I paemër tha

    ghyytejtrj

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 37 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: