PEDAGOGJIA

Blogu i parë i pedagogjisë në gjuhën shqipe

  • Vizitorë

    • 235,145

LAJME

Posted by Pedagogjia më Prill 27, 2008

NJË FENOMEN I RREZIKSHËM NË MESIN E STUDENTËVE TANË

Para shumë viteve në Kosovë kishte pak mundësi për të rinjtë e vendit tonë që të studiojnë dhe të ngritin kapacitetet e tyre intelektuale në njërën anë, por edhe të plotësojnë nevojat shoqërore në fusha të ndryshme. Me hapjen e Universiteti të Prishtinës, u krijua një mundësi e mirë shkollimi për një pjesë më të madhe të atyre që kishin vullnetin dhe mundësinë për të studiuar në vendin e tyre, duke vazhduar përpjekjet e shumta që të shtohen fushat e studimit, përpjekje që tani është bërë realitet në vitet e tanishme, duke poseduar një numër të madh studentësh dhe degësh, por mbi të gjitha duke rritur numrin e të diplomuarve, për të mos u ndjerë mungesa e profesionistëve në fushat e caktuara. Universitetit të Prishtinës iu janë bashkangjitur edhe shumë Universitete e Kolegje private, disa me kuadër akademik të mjaftueshëm, disa me kushte më të mira studimi, disa vetëm sa për të zhvilluar një biznes duke harruar misionin e tyre, disa me licenca e disa pa to, të cilat kanë arrit një jehonë të madhe në vendin tonë, mbase kanë krijuar mundësi më të shumta për të rinjtë që të mos mbeten jashtë studimeve, sepse UP-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të pranuar të gjithë të interesuarit. Ky fakt na ka gëzuar të gjithëve, me të vetmin qëllim që edhe vendi ynë të jetë në trend me vendet e tjera të zhvilluara, por gjendja momentale nuk është për t’u krenuar dhe herë herë shqetësuese, duke i humbur vlera studimeve dhe arritjes së rezultateve për çka edhe studiohet.

Ka shumë faktorë që luajnë rol në kualitetin e studimeve dhe arritjes së rezultateve të dëshirueshme, duke filluar nga baza jo e mirë e shkollimit paraprak, që tregojnë rezultatet e vlerësimeve të jashtme, siç janë testi i arritshmërisë dhe testi i maturës, pastaj mungesa e hapësirave të nevojshme, numri shumë i madh i studentëve të pranuar brenda degëve të caktuara, mungesa e stafit akademik në disa drejtime, por nuk duhet t’i ikim edhe mentalitetit tonë, sidomos tek të rinjtë, që vërehet mos vullneti për punë dhe mungesa e shprehisë së punës, duke gjetur mënyra tjera për të arritur deri tek qëllimi i tyre edhe pse shkelin çdo normë të sjelljes dhe rregullave që duhet t’i përmbahen gjatë studimeve. Me vite të tëra është përhapur shumë fenomeni i kopjimit gjatë provimeve, problematikë për të cilën kanë folur shumë studiues tjerë dhe persona përgjegjës, por dita ditës është në rritje dhe është shumë shqetësuese gjendja momentale në këtë drejtim, që ndjeshëm ka ulur kualitetin e studimeve.

Është për të ardhur keq për veprime të tilla të një numri jo të vogël të studentëve, të cilët po e degradojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe fakultetin ku studiojnë dhe në përgjithësi sistemin arsimor në Kosovë. Nuk janë kuptuar drejtë studimet, përmes të cilave synohet të arrihet deri tek qëllimi për të siguruar një kualitet të mirë të jetës shoqërore në fusha të ndryshme pas përfundimit të tyre, duke shërbyer për atë që je i thirrur, por në këtë mënyrë përmes kopjimit dhe formave tjera të kryerjes së provimeve na garanton një dështim në të ardhmen dhe frikën për të ulur besimin në profesionistë. Në anën tjetër, studentët nuk po nxiten të jenë hulumtues dhe studiues të mirëfilltë për atë që janë pranuar, por në shumë raste po ngarkohen me mësimdhënie klasike dhe materiale që i pamundësojnë të bëjnë studim të mirëfilltë. Një gjë e tillë, i shtynë të lënë anash hulumtimin dhe studimin, por të gjejnë një mënyrë më të shpejtë për të kryer provimet e tyre, në këtë rast kopjimin përmes formave të ndryshme, sidomos tani në këtë kohë kur teknologjia ka arritur kulmin po i mundëson të realizojnë një gjë të tillë shumë më lehtë, siç është përdorimi i telefonave celularë.

Temat më të shpeshta në mesin e studentëve për diskutim janë mënyrat e kopjimit dhe kryerjes së provimeve në mënyrë jo të rregullt, duke lënë anash studimet e mirëfillta dhe angazhimin e drejtë të tyre. Është e pamundur të përmenden në këtë shkrim të gjitha mënyrat e kopjimit sepse janë të shumta në numër dhe duhet të shënohet shumë për secilën dhe të studiohen hollësisht, sa që ka kaluar në një fenomen të rrezikshëm, për çka duhet të ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkrete, përndryshe do të shkoj huq gjithë mundi që është bërë prej gjeneratave më të vjetra për të arritur deri në këtë pikë ku jemi tani. Si të besojmë në aftësitë e një mësimdhënësi të ardhshëm, një mjeku, një inxhinieri, etj.etj., kur studimet e tyre më shumë janë përqendruar në atë se si të kopjojnë gjatë provimeve se sa të merren seriozisht me problemet që shtjellojnë drejtimet e tyre. Për fat të mirë Universiteti i Prishtinës dhe Universitetet private kanë stafet e tyre udhëheqëse dhe mund të ndërmarrin hapa adekuat për të ulur shkallën e këtij fenomeni, mbase nuk do të ishte e mundur të humbet i tëri sepse është i përhapur në një shkallë të lartë.

Nëse tani vendos që të studiosh në ndonjë fushë, nuk do ta kesh problem të gjesh materiale të ndryshme që do të shërbejnë për të kopjuar dhe madje madje edhe teste të gatshme, të cila janë vjedhur gjatë nënshtrimit të provimeve. Kjo gjë nuk është e vështirë për t’u vërtetuar, mbase gjitha fotokopjet në të gjitha qytetet e Kosovës, ku ka Universitete, apo degë të tyre janë të stërmbushura me këso materiale të gatshme dhe shumë hapur dhe thjeshtë shpërndahen.

Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë që duhet ta ndërrojmë këtë mënyrë studimi në Kosovë dhe të lëmë anash mënyrat e kundërligjshme, por t’i rrekemi punës bashkërisht për të ngritur cilësinë e studimeve në vendin tonë, që të kemi edhe një të ardhme më të mirë me profesionist adekuat dhe kuadro të ndërtuar në baza të shëndosha.

Mr. Sc. Adhurim Rasimi
Ligjerues në Fakultetin e Edukimit, Universiteti i Prishtinës

___________________________________________________________________

Shpresa për një vit shkollor me ndryshime pozitive

Politika ditore të largohet nga shkollat tona

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, për të kthyer fëmijët në meset “më të dashura” për ta. Në vitet paraprake, kemi vërejtur ndryshime pozitive, por gjithherë të pamjaftueshme për të përmirësuar sistemin tonë arsimor, i cili po përballet me probleme të natyrave të ndryshme. Me vite të tëra na ka brengosur përfshirja e politikës në shkollat tona, duke i shndërruar në arena lufte në mes partive politikë, se cili subjekt politik po dominon më shumë se tjetri. Këto veprime nuk po mundësojnë të marrë frymë lirshëm arsimin në Kosovë, duke e ngulfatur deri në atë masë, sa që edhe nxënësit janë të ngarkuar me probleme të politikës së përditshme që ndodh ne vend. Nuk mjaftojnë deklaratat e politikanëve tanë që politika duhet të rrijë sa më larg arsimit, por praktikisht nuk po veprohet asgjë në këtë drejtim, vetëm se po rëndohet edhe më shumë kjo gjendje.

Derisa të mos shikohet interesi i nxënësve për t’i ofruar mundësitë e duhura për të arritur deri te informacioni i dëshiruar, vështirë se do të kemi një zhvillim normal të procesit edukativo-arsimor. Duhet të ndalen sa më shpejtë përzgjedhjet e personelit arsimor në baza partiake, familjare dhe interesave personale, praktikë që është bërë me vite të tëra nga pushtete të ndryshme që kanë udhëhequr Kosovën pas luftës së fundit. Momentin që nuk kemi një përzgjedhje të duhur të mësimdhënësve, nuk mund të presim edhe për shumë vite ndryshime pozitive. Është për të ardhur keq që arsimi po konsiderohet vetëm si një mundësi e mirë e punësimit dhe realizimit të interesave personale, duke harruar faktin se arsimi është bazë e një shoqërie, nga i cili varet i gjithë zhvillimi në kohen momentale dhe në të ardhmen.

Politikat arsimore duhet të drejtohen më shumë në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie

Cilësia në mësimdhënie nuk është në nivelin e dëshiruar, duke vështirësuar arritjen e qëllimeve që ka arsimi në përgjithësi, si dhe mos nxitjen e nxënësve për të treguar suksese të lakmueshme në mësime. Problemi për të ngritur mësimdhënien në një shkallë më të lartë është paraqitur në vazhdimësi, si pasojë e mos përcjelljes së zhvillimeve të kohës në fushën e arsimit, por edhe të fushave tjera nga personeli arsimor, duke i mjaftuar shkollimi i përfunduar para shumë viteve dhe vullneti jo i mirë për t’iu përshtatur ndryshimeve në të mirë të nxënësve. Nga numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në Kosovë (rreth 23000), pjesa më e madhe e tyre i takojnë gjeneratave më të vjetra edhe përkundër që viteve të fundit ka filluar të përtërihet (punësimi i mësimdhënësve të rinj), ky numër po shkakton stagnime në zhvillimin normal të sistemit tonë arsimor edhe pse kanë pasur rastin të ndjekin shumë trajnime dhe seminare të mësimdhënies më bashkëkohore, por një pjesë e madhe e kësaj kategorie nuk i praktikojnë njohuritë e fituara.

Për të ngritur cilësinë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, duhet të funksionalizohet dhe të fuqizohet Programi për aftësim të mësimdhënësve i njohur si AKM (Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve), që pritet tani të filloj punën me një dinamikë tjetër dhe strategji të punës më ndryshe nga që ka qenë në vitet paraprake. Puna e këtij institucioni duhet të merret më serioz, duke i ofruar njohuri profesionale mësimdhënësve, por jo të shndërrohet vetëm në një formalitet për të mos nxitur konkurrencën në përfitimin e njohurive të reja dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Para se të plotësohen kushtet ideale për punë, të cilat për fat keq po mungojnë nëpër shkollat tona, duhet të ndryshohet mentaliteti i mësimdhënësve, se misioni të cilin kanë zgjedhur duhet kuptuar drejtë dhe për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen e brezave të rinj mbi baza të shëndosha intelektuale, por jo të konsiderohet vetëm një mundësi për të fituar një pagë mujore edhe ashtu të ulët. Për të ndryshuar këtë mentalitet, institucionet përkatëse arsimore, duhet të mendojnë dhe veprojnë më seriozisht për të përmirësuar kushtet e punës dhe anën financiare të mësimdhënësve, me ç’rast, kjo kategori shoqërore do të ketë parësor punën në arsim, për t’i ikur punëve tjera dytësore, që shpesh herë janë të detyruar të punojnë edhe punë tjera për të mbuluar nevojat familjare, por në anën tjetër do të ishte edhe më e lehtë për të kërkuar përgjegjësi më të madhe nga ta për punën e tyre dhe ndëshkimet që mund të pasojnë në rast mos efikasitetit në punë.

Pika tjera, të cilat mund t’i përmendim që ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies janë të shumta. Mund të fillojmë nga përfshirja e shërbimeve profesionale në shkolla (pedagogëve, psikologëve, sociologëve, mjekut, etj.), një mundësi shumë e mirë për t’i ofruar shërbime profesionale të natyrave të ndryshme nxënësve dhe mësimdhënësve në tejkalimin e problemeve që paraqiten në institucionet shkollore. Përfshirja e komunitetit në aktivitetet shkollore duhet të jetë i domosdoshëm, sidomos i prindërve, duke ofruar bashkëpunim të mirëfilltë me qëllim të zhvillimit normal të nxënësve për nga ana fizike dhe intelektuale. Mos  udhëheqja profesionale e institucioneve shkollore ka qenë dhe po vazhdon të jetë pengesë kyçe në zhvillimin normal të procesit mësimor, për arsye shumë të ulëta politike të këtyre udhëheqësve dhe mbikëqyrësve të tyre (Drejtorateve Komunale të Arsimit), që prioritete për ta po janë interesat personale dhe partiake para interesave shoqërore. Në mesin e shumë problemeve penguese për mësimdhënie dhe mësimnxënie të nivelit të dëshiruar është fenomeni i dhënies së lëndëve mësimore nga joprofesionist të lëmive përkatëse. Një pjesë jo e vogël e mësimdhënësve mbajnë lëndë që nuk përkojnë me shkollimin e tyre të përfunduar, duke dëmtuar interesat e nxënësve deri në ekstrem, sepse është e pamundur që një kuadër i tillë të ofroj informacionet e sakta dhe në mënyrë të duhur për nxënësit, pasi që i përket një lëmi tjetër mësimdhënie. Kjo tregon që për shumë institucione tona arsimore më me rëndësi po janë plotësimi i normës së punës për të afërmit e tyre dhe për persona që kanë lidhje të natyrave të ndryshme, se sa zhvillimi i nxënësve.

Nuk duhet të harrohet edhe organizimi i një numri më të madh të aktiviteteve të lira shkollore dhe jashtëshkollore për nxënësit ndikon drejtpërdrejtë në punën e suksesshme të nxënësve, nga që tek ne këto veprimtari nuk zhvillohen në shkallën e dëshiruar, sidomos në shkollat e vendeve rurale.

Nuk na mbetet tjetër vetëm se të presim një vit shkollor më të suksesshëm, me sa më pak politikë në shkollë, me kushte më të mira pune, me aktivitete të shumta zhvilluese dhe me mbështetje institucionale në frymën e duhur për nxënësit dhe personelin arsimor.

Fidan Shaqiri
MASTER i Menaxhimit në arsim

___________________________________________________________________

Shoqata “ERA” organizioi seminar me temë “Arsimi joformal”

Më datë 26.04.2008 në ambientet e Qendrës për kulturë në Gostivar, u mbajt seminari me temë “Arsimi joformal”. Seminari u organizua nga shoqata “ERA” Gostivar, e cila ka për qëllim trajnimin dhe këshillimin e grave dhe të rinjëve për punë dhe jetë.

Në seminar u diskutua rreth konceptit të arsimit joformal, temë të cilën e prezentoi z. Shpend Bajrami, rreth ndikimit të arsimit joformal si faktor për zhvillimin e karrierës të prezentuar nga z. Afrim Iljazi dhe në përmbyllje të këtij seminari, z. Semir Aliu lexoi një referat rreth kohës së lirë dhe arsimit spontan.

Këtu mund të shkarkoni prezentimin e seminarit.

Koncepti dhe detyrat e arsimit joformal
Zhvillimi i karrierës
Koha e lirë dhe arsimi spontan

4 Përgjigje to “LAJME”

  1. I’m amazed, I must say. Seldom do I encounter a blog that’s both
    educative and engaging, and let me tell you, you have hit the nail on the
    head. The issue is an issue that not enough men and women are speaking intelligently about.
    I’m very happy I came across this in my hunt for something concerning this.

  2. Sadulla Kamberi said

    Konstatim i një pedagogu:
    “Kam nxjerrë një konstatim të tmerrshëm se unë jam elementi vendimtar në klasë.
    Qëndrimi im krijon klimën. Disponimi im i përditshëm krijon kohën.
    Si mësues, unë kam fuqi të madhe që ta bëjë jetën e fëmijëve të mjerë ose të lumtur.
    Mund të jem vegël për torturë ose instrument inspirues.
    Mund t’i poshtëroj ose t’i disponoj, t’i lëndoj ose t’i shëroj…

  3. Dardani said

    shume shume i qelluar ky shkrim, te gjithe e din kete fenomen por te gjithe heshtin dhe behen sikur se nuk shohin asgje..
    suksese…
    Dardani, Prishtne

  4. Milja said

    Ju lumt,brravo,brravo,brravo,besoj se do ju ndihmoj dhe un,ashtu si na ndihmuat ju neve,sh.sh.sh.flm.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

 
Këtë e pëlqejnë %d blogues: