PEDAGOGJIA

Blogu i parë i pedagogjisë në gjuhën shqipe

  • Vizitorë

    • 149,669

Përshtatja e të mësuarit moshës së nxënësve, parim i rëndësishëm i mësimdhënies dhe të nxënit


MIRELA ÇEPELE
(Pedagoge prane Universitetit Ismail Qemali Vlore)

Parimi i të përshtaturit të të mësuarit veçorive të moshës së nxënësve është një parim i rëndësishëm i didaktikës që mbështetet në teorinë e njohjes.

Parimi i të përshtaturit të të mësuarit moshës së nxënësve shpreh kërkesën e domosdoshme që si përmbajtja dhe vëllimi i materialit mësimor, ashtu edhe metodat e të mësuarit të jenë në përputhje me forcat mendore të nxënësve, me aftësitë perceptuese e asimiluese të tyre. Ky parim kërkon, në veçanti, që niveli i materialit mësimor t’u përgjigjet shkallës së zhvillimit psikik të nxënësve, rezervave të njohurive e përfytyrimeve të tyre të mëparshme.

Të përshtaturit e të mësuarit moshës së nxënësve nuk kundërshton karakterin shkencor të tij, përvetësimin e dijeve në nivelin e përfytyrimeve shkencore bashkëkohore. Materiali mësimor që u jepet nxënësve nuk mund të reduktohet në kuadrin e dhënies së disa njohurive tërheqëse minimale ose thjesht duke ulur nivelin shkencor të trajtimit të lëndës. Një gjë e tillë sjell më shumë dëm se sa dobi, nxënësi mësohet me pak, i humbet interesi për dijen, i duket sikur mësimi është “lojë”, që mund të kapërcehet me pak forca. Nga ana tjetër dhe ngarkesa e tepërt, ngjeshja e materialit mësimor me një informacion jashtë forcave mendore, ashtu si dhe përdorimi i metodave të papërshtatshme, çon në formalizëm, në një të mbajtur mend mekanik, ul veprimtarinë krijuese të nxënësve dhe efektivitetin e procesit mësimor-edukativ. Si nënngarkesa dhe mbingarkesa në mësim, shkojnë në dëm të formimit të nxënësve.

Në shkollën tonë programet mësimore janë unike. Ato, midis të tjerash, janë ndërtuar duke marrë parasysh dhe fuqinë thithëse e përvetësuese të nxënësve, aftësinë e tyre për të pasqyruar në mënyrë të tërthortë e të përgjithësuar realitetin objektiv. Me rritjen në moshë ndryshojnë edhe kërkesat njohëse dhe interesat intelektuale të nxënësve, pasurohet përvoja e tyre jetësore. Të gjitha këto kërkojnë që të mësuarit të organizohet në mënyrë të tillë që, si përmbajtja e materialit mësimor, ashtu edhe metodat e të mësuarit, t’i përgjigjen shkallës së përgatitjes së nxënësve.

Në aspektin e përgjithshëm, duke marrë parasysh veçoritë moshore të njeriut, është e domosdoshme të kihen parasysh edhe ato periudha të veçanta optimale, në zhvillimin psikik, social e biologjik të fëmijëve dhe të krijohen kushtet e domosdoshme për zhvillimin e predispozitave të tyre në momentin e dhënë.. Njohja e gjerë e nxënësve, studimi i vëmendshëm i tyre, i japin mundësi mësuesit të zgjedhë me kujdes materialin, faktet e shembujt që do të përdoren në mësim, në përputhje me shkallën e pjekurisë së tyre. Ndodh që përgatitja e nxënësve të veçantë dhe shkalla e zhvillimit mendor të tyre të jenë të ndryshme. Një gjë e tillë shtron edhe kërkesën e përdorimit të diferencuar e të individualizuar të metodave të të mësuarit. Kjo nuk duhet kuptuar sikur nxënësve më pak të përgatitur nuk u duhen shpjeguar ose kërkuar pjesët e vështira. Por, për këta mësuesi përdor metoda e mjete të veçanta. Me këta nxënës ai organizon edhe mësime plotësuese, zhvillon konsultime etj.

Parimi i të përshtaturit të të mësuarit moshës së nxënësve, midis të tjerash, ka të bëjë edhe me zbatimin e rregullave didaktike, si: kalimi nga e lehta në të vështirën, nga e njohura në të panjohurën, nga e afërta në të largëtën. Rregulli nga e lehta në të vështirën, shpreh kalimin gradual nga njohuritë më të lehta për t’u përvetësuar, në atë më të vështirat, nga faktet e njohura, në përgjithësimet, nga të veçantat, në të përgjithshmet. Gjatë këtij procesi ato që kanë qenë të vështira bëhen më të lehta dhe shërbejnë si bazë për të mësuar gjëra të tjera më të vështira.

Rregulli nga e njohura në të panjohurën shpreh kalimin nga njohuritë, konceptet e përfytyrimet e njohura më parë në ato më të rejat. Ky rregull shpreh kërkesën që në procesin e të mësuarit të mbështetemi më fort në përvojën e vetë nxënësve, në njohuritë që kanë ata nga mjetet apo burimet e ndryshme të informacionit. Gjithashtu, ky rregull kërkon që në procesin e të mësuarit të mos ecet më tej pa u siguruar për përvetësimin e asaj që është bërë më parë.

Parimi i të përshtaturit të të mësuarit moshës së nxënësve kërkon që gjatë procesit mësimor-edukativ të krijohen mundësi që nxënësit të diskutojnë, të pyesin e të shprehin mendime rreth materialit që studiohet, të pyesin lirisht e pa ndrojtje për ato që i kanë të paqarta. Mësuesi jo vetëm duhet të inkurajojë një gjë të tillë, por, në të njëjtën kohë, të përpiqet të japë përgjigje të goditura e të sakta. Pra, modernizimi i shoqërisë sonë, në kuptimin më shkencor e më pozitiv, ka kërkuar në radhë të parë dhe në mënyrë të domosdoshme modernizimin e mësimdhënies, në konceptimin e plotë të tij.

3 Përgjigje te “Përshtatja e të mësuarit moshës së nxënësve, parim i rëndësishëm i mësimdhënies dhe të nxënit”

  1. I paemër tha

    3 a ka mundesi per te shkruar edhe pak per pershtatatjen e mesimit aftsive psikologjike te femijve

    STRUKTURA E ORËS TEKNIKAT E MËSIMDHËNIES
    EVOKIM E Stuhi mendimesh
    REALIZIMI I KUPTIMIT R Ditari dypjesësh
    REFLEKTIMI R Shqyrtim i përbashkët

  2. Enkeleda krasniqi tha

    Pergezime per artikullin , me duket shume i drejt dhe i sakte.

  3. I paemër tha

    Po shume e sakte.Bravo.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 37 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: